BETIMI I HIPOKRATIT

BETIMI I HIPOKRATIT

Betohem në emër të mjekut Apollo, të Asklepiusit dhe Hygieas e Panaceas, e në emër të gjithë perëndive dhe perëndeshave, duke i bërë ata dëshmitarë të mij, se do të përmbush këtë betim dhe detyrim sipas aftësive dhe gjykimit tim!
Se do ta trajtoj mësuesin tim në këtë profesion, si prindërit e mijë dhe do të kaloj jetën duke e ndihmuar ate në çdo rast. Pasardhësit e tij do të jenë për mua vëllezër dhe nëse ata duan, do ju mësoj Artin e Mjekësisë, pa pagesë dhe pa shpërblim. Se do ta ofroj diturinë që kam mbi Artin e Mjekësisë si mësues dhe edukator i rregullt e përmes të gjitha mënyrave të tjera të të mësuarit, për bijtë e mij, për bijtë e mësuesve të mij, si edhe për nxënësit që kanë dhënë betimin e mjekut, dhe për askënd tjetër.
Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit tim dhe në të mirë të të sëmurëve, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë.
Nëse kërkohet nga unë, nuk do t’i jap një bar vdekjeprurës askujt, dhe nuk do ti sugjeroj dikujt këtë gjë!
Po ashtu, nuk do t’i përshkruaj asnjë gruaje një mjet që shkakton abortin.
Unë poashtu, do të mbaj të pastër dhe të shenjtë si jetën time ashtu edhe Artin e Mjekësisë!
Nuk do të merrem me kirurgji, madje edhe tek pacientët që vuajnë nga gurët, por do të mundësoj që këtë mjekim ta bëjnë ata që kanë njohuri.
Në çdo shtëpi ku unë hyj, do të hyj për të ndihmuar të sëmurët dhe do të qëndroj larg nga çdo veprim i gabuar dhe dëmtim i qëllimshëm, sidomos nga abuzimi me trupin e njeriut ose të gruas, rob apo i lirë.
Çfarëdo që unë do të shoh ose dëgjoj gjatë profesionit tim, si dhe jashtë profesionit tim në raport me jetën e njerëzve, unë kurrë nuk do të zbuloj, duke mbajtur gjëra të tilla si sekrete dhe të shenjta.
Tani, pas këtij betimi dhe ruajtjes së tij, mund ta gëzoj përherë respektin e të gjithë njerëzve gjatë jetës time dhe për Artin e Mjekësisë. Në të kundërtën, nëse e thyej dhe e braktis këtë betim, mund të më ndodhë e kundërta.
chevron_left
chevron_right