Ulçera peptike është dëmtim në mukozën e lukthit apo duodenit (pjesa e parë e zorrës së hollë). Një dhimbje djegëse e lukthit është simptoma më e zakonshme. Dhimbja:
– Fillon ndërmjet shujtave ose gjatë natës
– Shkurtimisht ndalet nëse hani ose merrni antacide
– Zgjat për minuta deri në disa orë
– Vjen dhe shkon për disa ditë ose javë
Ulçera peptike ndodh kur acidet që ndihmojnë në tretjen e ushqimit dëmtojnë muret e lukthit ose të duodenit. Shkaktari më i zakonshëm është infeksioni me një bakter të quajtur Helicobacter pylori. Një tjetër shkak është përdorimi afatgjatë i barnave anti-inflamatore jo-steroide (NSAIDs) siç janë aspirina dhe ibuprofeni. Stresi dhe ushqimet pikante nuk shkaktojnë ulçera, por mund t’i përkeqësojnë ato.
Për të parë nëse keni infeksion me H. pylori, mjeku juaj do të testojë gjakun, frymën apo jashtëqitjen. Mjeku juaj gjithashtu mund të shikojë brenda lukthit dhe duodenit duke bërë një endoskopi ose përmes metodave tjera imazherike.
Ulçera peptike do të përkeqësohet nëse nuk trajtohet. Trajtimi mund të përfshijë ilaçe për të zvogëluar acidet e stomakut ose antibiotikët për të shkatërruar H. pylori. Antacidet dhe qumështi nuk mund të shërojnë ulcerat peptike. Mos pirja e duhanit dhe shmangia e alkoolit mund të ndihmojnë. Ju mund të keni nevojë për ndërhyrje kirurgjike nëse ulçera juaj nuk shërohet.